Dalin në dritë të tjera fakte mbi mungesën e theksuar të sigurise ne aeroportin e Rinasit, ku Admir Murataj dhe grupi i tij grabitën rreth 6.5 milionë Euro. Autoritetet e aeroportit ishin paralajmëruar disa muaj më parë nga policia për problemet në perimetrin e sigurisë por i kishin injoruar ato.

Një letër e firmosur ngë shefi i Policisë së Rinasit, Përparim Demo, evienton problemet në portat e emergjencës por edhe me mungesën e sensorëve në gardhin metalik rrethues.

Por Drejtori i Përgjithshëm ekzekutiv i TIA-s, Rolf Castro Vasquez, përgjigjet me një letër ku injoron të gjitha shqetësimet e ngritura nga Komisariati i Rinasit. Në të theksohet se auditimet ndërkombëtare nuk kanë konstatuar asnjë problem.

TIA i kërkon policise që për çështje të cilat lidhen me masat e sigurisë të zbatuara në aeroport, Komisariati i  Rinasit duhet të adresojë shqetesimet tek Autoriteti i Aviacionit Civil.

Por edhe pas këtyre korrespondencave kompania koncesionare nuk mori asnjë masë për të rritur nivelin e sigurisë. Korrespondenca mes Policisë së Rinasit dhe TIA-s është vënë në dispozicion edhe të prokurorëve të çështjes të cilët po analizojnë veprimet e të dyja palëve për të nxjerrë përgjegjësit. Nga ana tjetër, kur kanë kaluar 6 ditë nga grabitja, prokurorët nuk kanë marrë asnjë person në pyetje, ndërsa vazhdojnë të sekuestrojnë të gjithë dokumentacionin dhe praktikën e ndjekur në Aeroportin e Rinasit ditën kur ndodhi grabitja.

Tv Klan