Pak kohë me parë “Stop” ka trajtuar problemin e drejtimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Fillimisht drejtori u kërkoi bizneseve të qëndronin hapur, edhe pse institucionet shtetërore kishin vendosur izolimin e detyrueshëm.

Si të mos mjaftonte kjo, drejtori Constantin von Alvensleben nisi konfliktin personal me bizneset, duke u anuluar kontratën e duke i hequr pajisjet, edhe pse çështja kishte shkuar për gjykim.

Në dijeninë e emisionit “Stop” edhe ky skandal ka qenë i regjistruar në Prokurorinë e Tiranës, ku si çështje e ka pasur prokurori Kasëm Berberi. Në mënyrë të pakuptueshme ky prokuror ka dalë me vendimin e mosfillimit të këtij skandali duke e klasifikuar këtë si konflikt civil.

Gazetari: Genc Angjellari ju shqetëson, gazetari i emisionit “Stop”.

Prokurori Kasem Berberi-Urdhëro Genci!

Gazetari: Si kaluat? Kallëzimin që është bërë për një vepër penale të vetëgjyqësisë e keni pasur ju dhe keni dalë me mosfillim. Duke e klasifikuar si çështje civile.

Prokurori Kasem Berberi: Po, po!

Gazetari: Nuk përbën për ju fakt heqja e të gjithë pajisjeve…?

Prokurori Kasem Berberi: Tani unë, që ta argumentoj ti, që përbën fakt apo jo si të të them unë, të të them, që përbën? Po unë e kam dhënë një vendim, merre vendimin shikoje, lexoje, pastaj aq më tepër, ato e kanë kundërshtuar vendimin në gjykatë.

Gazetari: Absolutisht, absolutisht, ajo është e drejta e palës.

Prokurori Kasem Berberi – Kur të vejë në gjykatë, po e prishi gjykata, ta shfuqizojë, të lejë detyra, si do më mbushësh mendjen ti mua, se ka, apo s’ka vepër penale?

Gazetari: Jo po nuk është çështje civile kjo zotëri.

Prokurori Kasem Berberi: Po mirë më, sipas jush, nuk është, sipas vlerësimit tim, është.

Gazetari: Po jo sipas meje, sipas veprimeve zotëri.

Prokurori Kasem Berberi: O, ti djalë! Atë sqarojeni ju, se keni mundësi e mekanizma plot, për t’i sqaruar…

Gazetari: Po ku ta sqarojmë pra?

Prokurori Kasem Berberi: Kështu djalë!

Gazetari: Mirë faleminderit!

Prokurori Kasem Berberi: Gjithë të mirat! Mirupafshim!

Pas publikimit të këtyre skandaleve, emisioni “Stop” dhe Tv Klan u përball me një kërkesëpadi nga TIA dhe drejtuesi i saj, Constantin von Alvensleben, ku sipas pretendimeve pohohet që ato çfarë u publikuan në emisionin “Stop” janë shpifje.

Gazetari: Ne nuk do të merremi me këtë precedent, pasi ia kemi lënë gjykatës dhe kjo është një çështje private mes emisionit “Stop”, Tv Klan dhe TIA, por do të merremi me një detaj tepër të rëndësishëm.

Tek kërkesëpadia që Constantin von Alvensleben ka dërguar në gjykatë, tek përmbledhja e fakteve, është kualifikimi dhe backgroundi i drejtuesit të TIA-s.

Sipas të dhënave profesionale, kjo është karriera e gjatë e Alvensleben në menaxhimin në fushën ajrore dhe aeroportuale. “Nga viti 2003 deri në vitin 2005, Alvensleben ka qenë drejtor i Aeroportit Ndërkombëtar të Athinës.”

Ndërsa sipas historikut të Aeroportit Ndërkombëtar të Athinës, nga viti 2003 deri në vitin 2005 drejtor i këtij aeroporti ka qenë Alfred Van Der Mer dhe jo Constantin von Alvensleben.

Po ashtu, Alvensleben pretendon se nga viti 2005 deri në vitin 2007 ka qenë drejtor i Aeroportit të Tiranës, ndërsa sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se Alvensleben ka qenë drejtor i TIA-s jo dy vite siç pretendon ai, por vetëm 1 vit, nga 13 Prilli i 2006 deri më 2 Shkurt 2007.

Gazetari: Tani nuk po e marrim vesh se kush po shpif, ne apo ju? /tvklan.al