Mungesë marketingu nga organizatorët

Tifozët nuk iu përgjigjën në mënyrën e duhur thirrjes për të shkuar në stadium për turneun e bamirësisë. Në Air Albania ishin pak më shumë se 6 mijë spektatorë nga 22 mijë që është kapaciteti. Kjo ka sjellë shumë pak para të mbledhura, që do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti. Përveç tribunës qendrore, çmimet varionin nga 500 deri në 1 mijë lekë.

Më të shumë i priste edhe ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, që kësaj here drejtonte përfaqësuesen e yjeve të Italisë, që fitoi edhe turneun.

“Të them të vërtetën prisja më shumë tifozë, nuk e di të them se sa është reklamuar ky aktivitet, por ata që ishin meritojnë respekt, pasi bënë diçka të mirë për ata që nuk janë mirë në këtë moment”.

Ky aktivitet, nismën e Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, shfaqi dhe anën tjetër negative. Marketimi ishte në nivelin më të ulët për të sjellë sa më shumë mbështetës të kësaj kauze që bëri bashkë ish-futbollistë nga Shqipëria, Italia, Turqia dhe Greqia.

Asnjë ndihmë marketingu nuk erdhi as nga Federata Shqiptare e Futbollit, duke e cilësuar si një ndeshje të thjeshtë të kategorisë së parë.

Andi Lila thotë se me kalimin e kohës do të ketë organizime më të mira.

“Ne jemi të ri, akoma nuk e kemi përvojë e duhur. Duam ta vazhdojmë dhe të bëjmë këto ndeshje 1 herë në vit për bamirësi”.

Mes lojtarëve që ishin në fushë, kishte Kampionë të Botës në 2006 me Italinë dhe të Europës me Greqinë.

Tv Klan