Finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet pa tifozë

Tifozët shqiptarë do të kenë mundësinë të mbështesin ekipet e tyre të zemrës që nga 1 Korriku. Komiteti i Ekspertëve lejoi praninë e tyre në stadiume në numër të limituar.

Finalja e Kupës së Shqipërisë Skënderbeu-Vllaznia do të luhet pa tifozë. Por nga 1 Korriku spektatorët do të lejohen në stadiume.

Federata Shqiptare e Futbollit i bëri një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë që të lejojë një numër të arsyeshëm spektatorësh më 31 Maj në stadiumin “Air Albania”, por kërkesa nuk u pranua.

Komiteti i Ekspertëve njoftoi ditën e sotme, se do të lejohen tifozët në aktivitetet e sportit në masë të reduktuar, 30%, duke filluar nga 1 Korriku.

Situata në vend është përmirësuar pas shpërthimit të pandemisë, dhe tifozët shqiptarë do të kenë mundësinë që të mbështesin ekipet e tyre të zemrës këtë verë.

Me vendimin e marrë sot, ata do të jenë në stadiume në takimet që klubet shqiptare do të kenë në fazat kualifikuese në kompeticionet e Ligës së Kampioneve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.

Institucioni numër 1 i futbollit në vend argumentoi se prania e tifozëve në stadiume për finalen e 31 Majit do të ndihmonte në normalizimin e sportit.

Ata sollën si shembuj ndryshimet në shtetet e tjera evropiane, ku janë lejuar në shkallët e stadiumeve që të marrin pjesë tifozët.

Edhe pse numri i tyre ka qenë i limituar për shkak të masave anti-covid.

Klan News