Rojet e sigurimit të shtetit turk, të njohur si rojet e natës, qëlluan me armë në ajër për të shpërndarë tifozët e Besiktasit të cilët shkelën masat qeveritare kundër Covid-19 duke festuar fitoren e kampionatit për herë të 16-të në Superligën Turke.

Rojet e natës kanë marrë madje disa kompetenca policore, duke qëlluar në ajër për të ndalur turmat e tifozeve. Situata me koronavirusin në Turqi përbën një kërcënim për sezonin fitimprurës të turizmit veror dhe ka sjellë kalimin e finales së Ligës së Kampionëve nga Stambolli në Portugali. Numri i rasteve të reja ditore ka rënë në 11,000, ulje e ndjeshme nga muaji i kaluar.

Rreth 10.8 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht, ose 13% e popullsisë, me 14.9 milionë që kanë marrë vetëm një dozë të parë kryesisht të vaksinës kineze Sinovac. Në këto kushte, të hënën Turqia do të fillojë të lehtësojë masat anti-Covid duke lejuar lëvizjen gjatë ditës ndërsa mban shtetrrethimin brenda natës dhe fundjavës.

Presidenti Erdogan tha se do të hiqte më shumë nga kufizimet e vendosura në muajin Qershor. Autoritetet turke forcuan masat e koronavirusit pasi numri i rasteve të përditshme me Covid-19 shkoi mbi 60.000 në Prill, një nga nivelet më të larta në të gjithë botën dhe vdekjet arritën gati 400 në ditë.

Deri më 1 Qershor gjatë ditëve të javës njerëzit do të duhet të qëndrojnë në shtëpi nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Po kështu ky orar do të jetë edhe gjatë fundjavës.

Gjithashtu udhëtimet ndërqytetëse do të lejohen edhe gjatë orës policore, ndërsa restorantet dhe kafenetë do të funksionojnë vetëm me “shërbim taksie”. Qendrat tregtare do të hapen gjatë ditëve të javës, por vendet ku ushtrohet sport dhe kinematë do të qëndrojnë të mbyllura.

Klan News