Tifozët vdiqën ‘në krahët e futbollistëve’ gjatë shtypjes së ndodhur të shtunën në stadiumin e Kanjuruhan, në Indonezi. Kështu rrëfeu trajneri i skuadrës pritëse, Javier Roca, i cili tha se ngjarja tragjike që i mori jetë 125 personave, e ka lënë të “tronditur mendërisht”. Numri i fëmijëve që humbën jetën nga kjo tragjedi shkoi në 32 këtë të hënë. Autoritetet thonë se viktima më i vogël në moshë ishte vetëm 3 vjeç.

Të paktën 18 oficerë janë nën hetim pasi policia hodhi gaz lotsjellës ndaj tifozëve që pushtuan fushën në fund të ndeshjes. Më shumë se 320 persona mbetën të plagosur teksa tifozët në përpjekje për t’iu larguar gazit lotsjellës shkelën dhe mbytën njëri-tjetrin.

Një dëshmitar tha për BBC se policia kishte lëshuar disa bombola gazi lotsjellës, në mënyrë të vazhdueshme dhe të shpeshtë, pasi situata me tifozët u tensionua. Tifozët e Arema FC, që luante në shtëpi, vrapuan drejt fushës kur ndeshja përfundoi me rezultatin 3-2, ndaj rivalëve të tyre, Persebaya Surabaya.

Një zëdhënës i policisë tha se oficerët nën hetim ishin përgjegjës për mbajtjen e armëve dhe se ata po merren në pyetje nga Çështjet e Brendshme. Kjo nuk është hera e parë që policia e Indonezisë kritikohet për përdorimin e shpeshtë të gazit lotsjellës në stadiume të tejmbushur me tifozë. Autoritetet vendase thanë se stadiumi kishte qenë i mbushur përtej kapaciteteve, me mbi 42 mijë bileta të shitura për takimin, në një stadium që kapacitetin e ka 38 mijë.

Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë tifozët që vrapojnë drejt fushës në momentin që dëgjohet bilbili i përfundimit të ndeshjes dhe policia në përgjigje lëshon gaz lotsjellës.

U bë gjithçka anarkike. Ata nisën të sulmonin oficerët, dëmtuan makinat”, tha kreu i policisë në Java, i cili shtoi se mes të vdekurve ishin edhe dy efektivë.

“Dua të theksoj se jo të gjithë ishin anarkikë, vetëm rreth 3 mijë të cilët hynë në fushë. Në tentativë për t’u larguar, tifozët u sulën drejt njërës prej daljeve. Aty u mbivendosën me njëri-tjetrin dhe gjatë kohës që u grumbulluan patën mungesë oksigjeni dhe nuk merrnin dot frymë”, tha ai.

Ndërsa një dëshmitar tregoi momentet e tmerrit për BBC. “Fëmijët e vegjël po qanin, grave po u binte të fikët. Kishte ulërima gjithandej”./tvklan.al