Tilmann: Shqipëria e ekspozuar ndaj tërmeteve

Posta

Tilmann: Shqipëria e ekspozuar ndaj tërmeteve

09:36 23/09/2019

“Parashikimi i pamundur, por duhen vlerësuar rreziqet”

Teksa intensiteti i lëkundjeve sizmike në vend ka rënë ndjeshëm, pas goditjes me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter të së shtunës, sizmiologët gjermanë thonë se tërmetet janë të zakonshme për një zonë aktive si Ballkani. Frederik Tilmann shpjegon në një intervistë për Deutsche Welle specifikën e këtij rajoni.

“Bregdeti i Shqipërisë ka hyrë gjithmonë në ato rajone të Evropës, që kanë qenë të ekspozuara ndaj rreziqeve të rënda sizmike. Tërmetet në këtë rajon kanë të bëjnë me lëvizje të Afrikës drejt veriut. Pllaka kontinentale afrikane lëviz me disa milimetra në vit drejt Evropës. Këto përplasje kontinentale krijojnë tensione, sidomos pjesë të mikropllakës së Adriatikut shtyhen e hyjnë nën Ballkan. Tërmeti në afërsi të Tiranës ka të bëjë me këto tensione”.

Tilmann thekson se parashikimi i tërmeteve është një gjë e pamundur, por sipas tij zonat me aktivitet të lartë sizmik janë gjithmonë të rrezikuara.

“Parashikimi afatshkurtër i tërmetit nuk është i mundur në gjendjen aktuale. Sidoqoftë me vëzhgimin e vazhdueshëm të aktivitetit të tërmeteve mund ta vlerësosh më mirë rrezikimin e rajoneve të caktuara në një periudhë afatgjatë. Përveç kësaj për shkak të përcaktimit të shpejtë të parametrave të lëkundjeve mund të jepet ndihma me efikasitet dhe në disa raste është e mundur edhe paralajmërimi disa sekonda përpara”.

Sizmologu gjerman shpjegon në përgjithësi nuk është e mundur që të shmangen krejtësisht pasojat e një tërmeti. Prandaj primare është shmangja e kolapsit të plotë, për të mbrojtur njerëzit, që ndodhen brenda shtëpive. Sipas tij ekziston mundësia që edhe materiali ekzistues historik i ndërtesave të bëhet më rezistent ndaj tërmeteve duke i vendosur struktura lidhëse dhe përforcuese shtesë.

“Në përgjithësi nuk është e mundur që të shmangen krejtësisht pasojat e një tërmeti. Prandaj primare është shmangja e kolapsit të plotë, për të mbrojtur njerëzit, që ndodhen brenda shtëpive. Disa lloje ndërtimesh, për shembull muratura të papërforcuara, me çati të vendosura lirshëm, janë të prirura të shemben nga lëkundjet e forta dhe duhen shmangur në zonat e rrezikuara nga tërmetet. Në përgjithësi ekziston mundësia që edhe materiali ekzistues historik i ndërtesave të bëhet më rezistent ndaj tërmeteve duke i vendosur struktura lidhëse dhe përforcuese shtesë”.

Ndryshimet klimatike sipas tij, nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetet sizmike.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi