Tirana, aksion pastrimi në 14 Shtator

Tirana, aksion pastrimi në 14 Shtator

15:20 10/09/2019

Veliaj: Po investojmë në të gjitha shkollat

16 Shtatori do t’i gjejë gati të gjitha shkollat e kryeqytetit. Në prag të fillimin vitit shkollor, Kryebashkiaku i Tiranës ka mbledhur në një takim drejtuesit e këtyre institucioneve arsimore, ku dhe theksoi se gjendja e shkollave këtë vit është përmirësuar.

“Më vjen mirë që kemi një palestër të re, kemi transformuar gjithë hapësirat e tjera, si jashtë, ashtu dhe brenda shkollës. Njësoj si efekt domino, njëra pas tjetrës, nëse nuk kemi mbërritur ende tek shkolla juaj, është vetëm çështje kohe. Tre-katër vjet më parë ishte siklet se nuk kishim prekur shumicën e shkollave, kurse tani i kap me gishtat e dorës ato shkolla që ende kanë nevojë për një ndërhyrje, ku sigurisht nuk do të vonojë”.

Që çdo gjë të jetë gati, Bashkia ka planifikuar aksion pastrimi  më 14 Shtator.

“Të shtunën kemi shpallur një ditë masive pastrimi. Të gjithë mund të japim një dorë. Bashkia do mbulojë pjesën e Fushës së Aviacionit. Në këtë qytet nuk ka fëmijë që ndot, madje ata këmbëngulin që plehrat të hidhen në vendin e duhur. Ky është i vetmi qytet ku nuk u themi fëmijëve mësoni nga prindërit, por u themi prindërve mësoni nga fëmijët”.

Veliaj apeloi edhe njëherë që prindërit t’i regjistrojnë fëmijët në shkollat pranë shtëpisë, duke shmangur në këtë mënyrë jo vetëm mbipopullimin nëpër klasa, por edhe trafikun në qytet. Për të rritur sigurinë pranë shkollave do të ketë një punonjës të Policisë Bashkiake apo vullnetarë, që do të ndihmojnë të vegjlit të kalojnë vijat e bardha në kryqëzim.

Tv Klan

Të ngjashme