Tirana beson te kualifikimi për në turin e dytë të Conference League. Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë në Gjeorgji, bardheblutë luajnë këtë të enjte sfidën e kthimit ndaj Torpedo Kutaisi, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në prag të këtij takimi, trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, u shfaq besimplotë për një rezultat pozitiv, pas paraqitjes së mirë, që treguan në pjesën e dytë në përballjen e parë.

“Duke marrë parasysh që kemi pasur në dispozicion dhe ardhjen e lojtarëve të rinj, mora sinjale pozitive nga ajo ndeshje e parë. Unë personalisht dhe stafi, jemi të një mendimi, që ne si skuadër kemi bërë ndeshje pozitive, por kemi vlerësim maksimal për kundërshtarin. Pavarësisht si shkoi ajo pjesë e dytë, kemi vlerësim maksimal për kundërshtarin. Vazhdoj të them që skuadra kundërshtare është shumë e fortë. Duhet të japim maksimumin. Të vrapojmë pa fund dhe të kemi besim, ashtu si në ndeshjen e parë. Duhet të besojmë për një rezultat pozitiv dhe për kualifikimin.”

Shkëmbi pranoi se shanset janë të barabarta për të dyja ekipet, ndërsa theksoi se tifozëve nuk i premtohet fitorja, por dhënia e maksimumit në fushë.

“Mendoj se ne e ndjejmë dhe e shikojmë mundësinë që ka skuadra jonë në këto momente. Unë si trajner nga kjo filloj bëj filozofinë e skuadrës për ndeshjen. Para ndeshjes, për mua shanset janë 50 me 50. Me kundërshtarët duhet të mendohesh si i barabartë. Në një ndeshje shanset janë të barabarta. Kundërshtari është përpara nesh për shumë arsye.

Më bëri përshtypje ardhja e tifozëve në Gjeorgji. Ndjeva kënaqësi, duke u dhuruar atë barazim, ndoshta do të ishte më mirë me fitore. Më pëlqyen djemtë që iu dhanë diçka tifozëve, Shpresoj që t’i kemi afër edhe në këtë ndeshje. Nuk premtohet fitorja, por premtohet se futbollistët do të japin maksimumin.”

Në të njëjtën linjë, ishte edhe mbrojtësi Gledi Mici, i cili u shpreh se sfida si kjo shpesh vendosen nga detajet.

“Atmosfera është shumë e mirë. Na ngroh rezultati i ndeshjes së parë. Kualifikimi është i hapur. Këtë ndeshje mund ta vendosin detajet. Shpresoj të kemi detajet në krahun tonë. 80% e ekipit janë lojtarë të rinj dhe duhet pak kohë.

Fanella që mbajmë veshur nuk na lejon të futemi si inferiorë ndaj asnjë kundërshtari. Është një ndeshje shumë e vështirë. Sepse ekipi kundërshtar është në mes të kampionatit. Kam besim se do të kalojmë më tej.”, deklaroi Mici.

Sfida e kthimit mes Tiranës dhe Torpedo Kutaisi, e vlefshme për turin e parë kualifikues në Conference League, është planifikuar të luhet të enjten e 18 korrikut, në orën 20:00. /tvklan.al