Tirana-Crvena Zvezda në Syri Tv, pjesë e platformës Klan


Tirana-Crvena Zvezda në Syri Tv, pjesë e platformës Klan

15:57 24/08/2020

Ndeshja do të luhet pa tifozë në “Air Albania”

Me shpresën se do të bëjë histori, Tirana do të përballet mbrëmjen e së martës me klubin serb Crvena Zvezda. Takimi që do të luhet në Air Albania pritet me interes jo vetëm nga tifozët bardheblu, por të gjithë shqiptarët edhe përtej kufirit të vendit tonë edhe për shkak të ngarkesës emocionale, si pasojë e përballjes me ekipin serb, së cilës kjo ndeshje nuk mund t’i shmanget.

Do të luhet pa tifozë në stadium, por do të jenë të shumtë ata që shpresojnë në fitoren e bardhebluve. Duke nisur nga ora 20:00 e mbrëmjes së të martës, mbështetësit e Tiranës, por edhe dashamirësit e futbollit do të mund ta ndjekin takimin pa pagesë në kanalin Syri Tv, pjesë e platformës dixhitale të Tv Klan.

Ekipi serb ka mbërritur në Tiranë në aeroportin e Rinasit me një avion të cilit “Air Serbia” i ka vënë emrin e Dejan Stankoviç, trajnerit të skuadrës.

Serbët kanë premtuar se do të vijnë për futboll dhe që fati i ndeshjes të vendoset brenda 90 minutave duke shmangur kështu çdo koment në lidhje me provokime apo me të shkuarën me prapavijë politike.

Gjithçka gati për të ndjekur këtë ndeshje në platformën digjitale Klan në kanalin Syri TV, në cilësi full HD të figurës për t’i dhënë edhe më shumë emocione të gjithë tifozëve në pamundësi për të qenë në shkallët e stadiumit.

Pritet që Policia e Tiranës të jetë e angazhuar me forca të shumta për sigurinë e kësaj ndeshjeje duke bllokuar rrugë dhe segmente rreth perimetrit të stadiumit. Do të ndalohet gjithashtu edhe grumbullimi i tifozëve në respekt të protokolleve shëndetësore.

Ultras, tifozë të Tiranës dhe dashamirës të futbollit shqiptar do të mbërthehen përpara ekranit të Syri TV, pjesë e platformës dixhitale të TV Klan në një transmetim pa pagesë.

Tv Klan



Të ngjashme