Nuk do të lejohen grumbullimet tek stadiumi

Pavarësisht se do të luhet pa tifozë, Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Crvena Zvezda.

Policia nuk do të lejojë grumbullimet e tifozëve në sheshe apo grumbullime përreth. Ndërkohë sa i përket hyrjes në stadium do të lejohet të hyjnë vetëm personat e caktuar bazuar edhe në protokollin e sigurisë në kuadër të koronavirusit.

Gjithashtu do të jenë të bllokuara disa rrugë nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit.

“Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik”./tvklan.al