Manastriliu: Kemi në fokus zonat me mbulesë të ulët vaksinale

Tirana dhe Durrësi janë dy qytetet me numrin më të madh të popullsisë por me një përqindje të ulet të personave të vaksinuar kundër Covid-19. Për këtë arsye ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu gjatë vizitës në njësinë e lëvizshme të vaksinimit në Sukth u shpreh se duhet më shumë ndërgjegjësim.

“Durrësi është një nga bashkitë që duhet të fokusohemi shumë për të rritur mbulesën vaksinale, gjithashtu dhe Tirana mbulesa vaksinale nuk është aty ku duam të shkojmë. Kjo është javë e hapur ku çdo individ plus 18 vjeç mund të vijë, ndihmojnë të rrisim mbulesën vaksinale aty ku kemi xhepa”.

Duke folur për rrezikun e përhapjes të variantit Delta, ministrja tha se rritja e rasteve me Covid në ditët e fundit e ka vënë sistemin në alert.

“Në vendin tonë kemi një rritje të lehtë të rasteve dhe kjo do të thotë se rriten hospitalizimet dhe kjo do të thotë që duhet të rrisim vaksinimin që të mos rritet hospitalizimi dhe fatalitetet”.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total mbi 1 milion e 82 mijë doza të vaksinës anti-Covid. Prej tyre mbi 472 mijë qytetarë i kanë marrë të dyja dozat.

Tv Klan