Plenkoviç: Jemi me popullin dhe autoritetet e Kosovës

Fatkeqësi pikëlluese e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama aksidentin tragjik që ndodhi orët e para të mëngjesit në Kroaci, ku humbën jetën 10 shtetas kosovarë e mbetën me dhjetra të tjerë të plagosur. Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale, Rama shkruan se lutet që të plagosurit të shërohen sa më shpejtë.

“Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova. Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëllime vëllazërore familjeve të viktimave”.

Me trishtim për jetët e humbura dhe të lënduarit është shprehur edhe kreu i opozitës Lulzim Basha.

“I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve”.

Ngushëllime për ngjarjen e rëndë ka shprehur edhe Presidenti Ilir Meta, i cili ka falenderuar autoritetet kroate për kujdesin shëndetësor ndaj të plagosurve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar disa nga të mbijetuarit në spitalin ku po trajtohen në Kroaci. Kurti falenderoi autoritetet kroate për ndihmën e ofruar.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur tragjedi ngjarjen, duke shprehur ngushëllime për jetët e humbura dhe shërim të shpejtë të lënduarve.

Sakaq, Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç i është drejtuar me një mesazh ngushëllimi popullit kosovar pas aksidentit të rëndë në Slavonski Brod, ku në një autobus të linjës Frankfurt-Prishtinë 67 shtetas kosovarë u përfshinë në këtë ngjarje tragjike.

Tv Klan