Mazi: Anulimi i procesit na bën të gjithëve humbës

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria me të gjitha argumentet në dorë dhe konfirmimet nga institucionet evropiane se i kanë plotësuar kërkesat dhe kushtet për reforma në vend, në Qershor në takimin e Këshillit për punë të përgjithshme do të shkojnë me pritshmërinë se edhe Bashkimi Evropian do ta mbajë fjalën, sa më shpejt të organizojë konferenca ndërqeveritare dhe zyrtarisht t’i fillojë negociatat aderuese.

“Nuk do të shkojmë me duart bosh më 22 Qershor kur do të mbahet mbledhja e fundit e Këshillit për Punë të Përgjithshme, nën kryesimin e Portugalisë. Konferenca e parë Ndërqeveritare shpresojmë të mbahet gjatë këtij semestri, gjatë kësaj gjysmë vjetori. Fjalët që i kemi dëgjuar për vite me radhë se zgjerimi duhet të bazohet në merita, se kjo është në zemër të strategjisë së BE-së, se vendet tona i takojnë BE-së, tani është koha që kjo të vërtetohet në praktikë.”

Në të kundërt, në qoftë se procesi vazhdon të shtyhet, ambasadori Mazi konsideron se do të ketë lodhje dhe dyshime te qytetarët e rajonit në vlerat evropiane. Dallime dypalëshe, sipas tij, ka kudo, por të njëjtat duhet të tejkalohen vetëm me bisedime të ndërsjella. Pikërisht për këtë qëllim, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani i ka dërguar letër shefit të ri të diplomacisë në Bullgari, prej ku për momentin nuk ndjehet tërheqje e mundshme e vetos për negociatat aderuese të Maqedonisë së Veriut.

“Me qëllim që të vazhdohet me idenë për takim të Komisionit Ndërqeveritar, miratim i raporteve të punës së deritanishme të komisioneve, miratim i Planit Aksional. Mendoj se këta janë hapa të rëndësishëm për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes dhe për ndërtimin e besimit. Ne jemi të përkushtuar në plotësimin e Marrëveshjes, konsiderojmë se kjo është mënyra e vetme që të normalizohen marrëdhëniet.”

Të dy bashkëbiseduesit janë për atë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në rrugën evropiane të  ecin së bashku, sepse në këtë mënyrë do ta ndihmojnë njëra-tjetrën, do të ndajnë përvojat dhe nuk do të jenë pengesë për njëra-tjetrën. Për këtë janë edhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, edhe pse këtyre ditëve Komisioneri i BE-së për zgjerim Oliver Varhelji disa herë nuk e ka përjashtuar mundësinë që në qoftë se nuk gjendet zgjidhje për bllokadën e Maqedonisë së Veriut, Shqipëria t’i fillojë negociatat aderuese me Brukselin vetëm. 

Tv Klan