Veliaj: Do të kontribuojmë me dy parqe publike në Tuz e Preshevë

Bashkia e Tiranës do të kontribuojë në dy prej komunave shqipfolëse, në Tuz dhe në Preshevë, me dy parqe publike në qendrat e qyteteve. Lajmin e dha kryebashkiaku Veliaj teksa priti kreun e Komunës së Tuzit.

Erion Veliaj: Ne duam të jemi pjesë e suksesit tuaj, ndaj kemi vendosur që edhe në Tuz, por edhe në Preshevë, të bëjmë një financim për një park publik; pra, për një zonë qendrore të qytetit, si një dhuratë nga Tirana, si një mënyrë për të lënë një shenjë të përbashkët dhe për të qenë kontribues në suksesin tuaj

Kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, zbuloi po ashtu se gjimnazi “Arben Broci” në Tiranë do të binjakëzohet me gjimnazin e Tuzit.

Nik Gjeloshaj: Ne kemi sot edhe një binjakëzim ndërmjet dy shkollave, gjimnazit të Tuzit dhe një gjimnazi këtu në Tiranë, dhe të gjitha këto janë mesazhe se jemi një dhe do të vazhdojmë bashkë në zhvillimin e vendeve tona

Bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe komunave me popullsi shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi, është rritur sidomos me krijimin e Unionit të Bashkive, duke afruar më shumë popujt me njëri-tjetrin.

Klan News