Veliaj: Urbanizimi rrit cilësinë e jetës

Kryeqyteti do të ketë tre lagje të reja së shpejti, e para ka nisur të krijohet në zonën e Vaqarrit, ku dhe u mbollën 100 pemë.  

“Në Vaqarr po krijojmë lagjen e re ku do të vendosen të prekurit nga tërmeti, nga e gjithë zona e Tiranës rurale, pra Vaqarri, Ndroqi, Peza. Kemi përcaktuar 3-4 vende të tilla, kështu që mezi pres që jo vetëm të bëjmë një lagje të re në zonën e Vaqarrit, por ajo të trajtohet si një vazhdim i rrugës së Kombinatit”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se vetëm duke e urbanizuar dhe duke e trajtuar si një lagje urbane të Tiranës, në këtë zonë mund të rritet edhe vlera e pronës, edhe cilësia e jetës së qytetarëve.

“Duke hequr të gjitha varrezat e makinave, lavazheve, gomisteritë që janë buzë rrugës në Kombinat, në Vaqarr, dhe duke e trajtuar realisht si një lagje urbane të Tiranës, mund të shtojmë vlerën e pronës dhe cilësinë e jetës. Ndërkohë, me Tiranën që kemi trashëguar, sapo lije Kombinatin fillonte një zaptim total i çdo hapësire përgjatë rrugës dhe një vlerë e degraduar e pronës dhe cilësisë së jetesës dhe mjedisit”, tha ai.

Rruga nga Kombinati deri në Vaqarr, do të bëhet e re. Veliaj siguroi se brenda pranverës do të jetë sistemuar lagjja e re e Vaqarrit, për të nisur më pas menjëherë punë edhe për dy lagjet e tjera, atë në Ndroq dhe në Pezë.

Tv Klan