Kryeqyteti është tejmbushur me qytetarë nga Tirana por edhe nga rrethet e Shqipërisë për të festuar Ditën e Verës. Mbi 50 aktivitete të organizuara nga Bashkia e Tiranës janë shtrirë përgjatë shëshit Skënderbej, sheshit Nënë Tereza dhe deri tek kodrat e liqenit artificial. Aktivitetet do të vijojnë edhe pasdite deri në mesnatë në zonën e ish-bllokut me street party.

Ashtu siç ishte lajmëruar pak ditë më parë, Tirana feston sot Ditën e Verës. Fëmijë, të rinj dhe të moshuar, të favorizuar edhe nga koha me temperatura të larta e me diell, dolën për të festuar këtë festë pagane me lojra muzikë dhe aktivitete të shumta. Nuk munguan edhe qytetarë nga Kosova.

Ndërsa pa nga afër disa nga aktivitetet në sheshin Skënderbej, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u ndal sërish tek protesta e opozitës.

“Jam shumë i lumtur që sot, Tirana e vërtetë, ata që jetojnë në Tiranë, që e duan Tiranën, që duan familjen e tyre më shumë se sa partinë, që duan që ky vend të ecë përpara më shumë se sa ata që duan ta shkatërrojnë, janë sot me shumicë. Në pak orë nga shkatërrimi i djeshëm, Tirana ka ngritur kokën. Të gjithë janë këtu me familjet e tyre, jo burrat e dhunshëm, por gra, fëmijë, gjyshe, nipër e mbesa, sepse kjo është Shqipëria e vërtetë! Sot, edhe mediat e huaja që janë në Tiranë dhe po ndjekin zhvillimet, kanë shansin të shohin Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë që do të ecë përpara, Shqipërinë që do të bëjë progres dhe Tiranën që gjithmonë e më shumë është qyteti i ëndrrave tona”.

Sipas Veliajt, pjesëmarrja e qytetarëve në këtë festë tregon dallimin mes atyre që duan dhunë e atyre që duan progres.

“Nuk kemi kujt t’i tregojmë forcën, për sa kohë që jemi të fortë në shpirt, në zemër; fakti që sot jemi 3-fish i ekskursionit të djeshëm na bën të ndihemi më të vendosur për të vazhduar rrugën që kemi nisur. Tirana do të ecë përpara! E përbuz dhunën. Me gjëra që shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të mi, nuk bashkohem”.

Aktivitetet që nisën që në orën 09:00 të së dielës do të zgjasin deri në mesnatë. Në kodrat e liqenit janë organizuar panaire dhe koncerte të ndryshme. Ndërsa muzika do të mbizotërojë edhe në orët e pasdites në zonën e ish-bllokut.

Tv Klan