Një Tiranë me lojtarë të rinj, ndonjëri prej tyre adoleshent si Ernest Muçi u pa në fushë ndaj Shënkollit. Sulmuesi 16 vjeçar shënoi në sfidën ku pjesë e suksesit ishin edhe dy lojtarë të rinj të tjerë, Patrik Bardhi 19 dhe Klisman Cake 18 vjeç. Ky i fundit ishte pjesë e Tiranës në Superligë dhe tani po fiton akoma më shumë përvojë.

“Ndjehem shumë i lumtur për golin pas këtyre ndeshjeve këtu. Trajneri na ka dhënë mundësinë të gjithëve, kush ka dhënë në stërvitje ka luajtur”, tha Cake.

“Mendoj që jam me fat që është një trajner i huaj, që po më jep shansin edhe minuta në çdo ndeshje. Ishte një ekip i ri me Shënkollin, por besoj se treguam se jemi këtu Tirana me meritë dhe ardhmja mund të bazohet te ne”, tha Patrik Bardhi.

“Goli ishte diçka shumë e bukur pasi të shënosh në këtë moshë, 16 vjeç me Tiranën një ekip shumë i madh. Më e rëndësishme është të kalojmë në Superligë, do të ishte diçka shumë e bukur, por ja ku është fusha ta tregojmë aty”, tha Ernest Muçi.

Ata shikohen si pjesë e projektit të Tiranës të së ardhmes. Të tjerë i janë bashkuar ekipit që drejtohet nga Ze Maria.

“Jam shumë i kënaqur me ta dhe për ata që shënuan golin e parë, por ka edhe të tjerë të rinj prej kohësh, pasi janë 6 apo 7 lojtarë, të cilët janë pjesë e ekipit dhe vijnë nga akademia. Këta janë lojtarë shpresoj të jenë pjesë e një të ardhme të suksesshme dhe fituese te Tirana.”

Detyra edhe për këta të rinj është të ndihmojnë bardheblutë të kthehen në Superligë. Prej të dielës me Pogradecin nis faza ‘play off’ që përcakton ekipin që do të luajë sezonin e ardhshëm në elitë.

Tv Klan