Veliaj: Duhet të jemi të bashkuar si 108 vite më parë

Edhe Tirana zhvilloi ceremoninë e ngritjes së flamurit në sheshin “Skënderbej” në përkujtim të ditës së Pavarësisë. Teksa uroi shqiptarët, kryebashkiakut Erion Veliaj tha se vetëm të bashkuar mund të dalim fitues në betejën me Covid.

“Se ky 28 Nëntor, na gjen realisht në një kohë të pafat, sepse po jetojmë në një kohë të pafat planetare, pa harruar as faktin se 28 Nëntorin e kaluar nuk e festuam dot, kur tërmeti fatal provoi brishtësinë tone njerëzore. Por, siç duket, jeta kështu është, një dyluftim gjithmonë përballë fatit, duke u përleshur, të palëkundur, në tehun ndarës mes dështimit dhe triumfit. Por, edhe pse të brishtë në fatkeqësi, ne shqiptarët kemi ditur të jemi gjithmonë të bashkuar”.

Ashtu si 108 vite më parë tha Veliaj, edhe sot për pandeminë ka dritë në fund të tunelit.

“Tirana dhe Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur, as për t’u përçarë… Vetëm e mira dhe bashkimi e ka çuar këtë vend përpara. Jam i vetëdijshëm se pandemia dhe tërmetet mund të kenë sjellë shume sfida dhe vështirësi për të gjithë qytetarët tanë, duke e bërë me raste dritën në fund të tunelit të duket e pamundur dhe të paarritshme, ashtu siç dukej 108 vite më parë, para se të shpallej Pavarësia”.

Për kreun e Bashkisë së Tiranës sot beteja duhet të jetë vetëm me pandeminë dhe jo me njëri-tjetrin.

Tv Klan