Limaj vesh bardheblu kryeqytetin dhe zhyt të kuqtë në krizë

Pas gjashtë sfidash, Tirana vesh bardheblu kryeqytetin.  Skuadra më e titulluar në vend fitoi derbin numër 162 në historinë kundër Partizanit. Nën një atmosferë elektrizuese në shkallët e stadiumit ‘Air Albania” dhe me mjaft nerva në fushë, Tirana triumfoi me shifrat e ngushta 1-0, rezultat i vulosur nga Vesel Limaj.

Pas konsultimit me pamjet nga VAR, gjyqtari Eldorian Hamiti akordoi penallti në minutën e 7-të shtesë të pjesës së parë, nga ku mesfushori dërgoi topin në njërin krah dhe Alban Hoxhën në krahun tjetër. Gol që dërgoi në delir tifozët e Tiranës.

Me rikthimin në fushë, Partizani u përpoq të merrte maksimumin e urdhrave të marrë nga tekniku Daja në dhomat e zhveshjeve, por që gjetën reagimin e futbollistëve bardheblu, të cilët thyen çdo aksion. Në fund kishte vend për një karton të kuq e Tiranës, që gjithsesi nuk ndikoi në rezultat.

Tirana vijon shkëputjen me ndjekësit në tabelën e klasifikimit, ku pas 6 javësh gjendet në krye me 14 pikë, tre më shumë se rivalët. Ndërkaq, Partizani është zyrtarisht në krizë. Të kuqtë numërojnë vetëm 4 pikë. Për më tepër, humbja në derbi mund të lëkund jo pak dhe pozitat e trajnerit, Ilir Daja që në 6 javët e para nuk ka arritur t’i udhëheq të tijët drejt fitores. 

Klan News