Tirana fitoi derbin e kryeqytetit kundër Dinamos me rezultatin 0-1 në takimin e fundit të javës së 17-të luajtur në stadiumin “Air Albania”. Për bardheblutë ky është triumfi i parë i vitit 2022. Loja nisi e kujdesshme për të dyja ekipet dhe rastet e krijuara në pjesën e parë ishin të pakta.

Në temperatura nën zero gradë, futbollistët u përqendruan te kontrolli i lojës në pjesën e pare. Në 45 minutat e dyta, sfida nisi më e vrullshme. Goli i vetëm i takimit erdhi në mintuën e 69’. Xhixha kaloi në avantazh Tiranën, duke ndëshkuar për herë të parë në këtë sezon portierin e bluve, Simonin.

Pas avantazhit, Tirana u kujdes që të ruante rezultatin, ndërsa Dinamo e pati të pamundur që të finalizonte. Me suksesin e arritur, bardheblutë iu përgjigjën Kukësit dhe e rikthyen diferencën në renditje me gjashtë pikë.

Ky është suksesi i tretë për Tiranën në katër takimet e fundit të luajtura në kampionat. Ndërkohë blutë pësojnë humbje pas tri sfidave të luajtura dhe ngelen në kuotën e 18 pikëve në vend të shtatë në renditje.

Klan News