Polemika nga Partizanit për gjykimin

Një fitore kaq e thellë e Tiranës nuk arrihej prej më shumë se 15 vitesh, por pas takimit polemikat erdhën nga ana e Partizanit. Suksesi 5 – 1 bardhebluve në derbi u vendos edhe prej penalltive të dhëna dhe vendimeve të arbitrave sipas trajneri Adolfo

 “Kjo është një ndeshje e manipuluar, pasi për 18 minuta i mbajtëm në zonën e tyre, duke krijuar disa raste. Ajo që ndikoi ishte si u trajtua ndeshja, pasi kur akordon 11-metërsh nuk mund të japësh dhe karton të kuq sipas rregullores. Ndeshja ndryshoi tërësisht. Nëse do të ishim të barabartë numerikisht në fushë nuk do të ishte kjo ndeshje”, shprehet Adolfo Sormani, trajner i Partizanit.

Drejtori i të kuqve, Olsi Rama nuk i kurseu kritikat për gjykimin.

“Ndeshja u vendos në mënyrë arbitrare, nga një arbitër tërësisht inkompetent”.

I lumtur për rezultatin, por me këmbë në tokë ishte trajneri Emanuel Egbo.

“Nuk është se e kishim pritur këtë rezultat, por pas kartonit të kuq loja u bë pak më e lehtë për ne. Ne kemi një slogan një për të gjithë, të gjithë për një”.

Për presidentin e bardhebluve, Refik Halili pavarësisht këtyre rezultateve pozitivë radhazi duhet pritur për titullin.

“Kampionati është ende i gjatë dhe për mua asgjë nuk ka mbarur”.

Tirana pas emërimit të Egbo ndryshoi tërësisht ku në 10 ndeshje ka fituar 9 dhe barazuar 1, duke u ngjitur në krye me 47 pikë.

Tv Klan