Bardheblutë mundën në finale Vllazninë

Tirana fitoi Superkupën e Shqipërisë për herë të 12 në historinë e saj. Bardheblutë triumfuan me rezultatin 3 – 2 ndaj Vllaznisë të mërkurën në stadiumin “Air Albania”.

Skuadra shkodrane realizoi e para me Malën, i cili kaloi në avantazh ekipin e tij në rastin e parë të paraqitur. Lojtarët e Tiranës rritën ritmin me kalimin e minutave dhe në të 38’ Patrick barazoi me goditjen e tij me roveshatë që shtangu portierin Zogovic.

Pjesa e dytë ishte më emocionuese dhe nisi nga goli i Hasanit për Tiranën. Bardheblutë shfrytëzuan një pasim të gabuar të kapitenit Gurishta. Në të 86’ Latifi i cili kthehej pas një dëmtimi barazoi me 11-metërsh.

Tirana nuk u dorëzua dhe në shtesë Xhixha shënoi golin që vendosi fitoren e bardhebluve. Sulmuesi realizoi kur trajneri Shehi ishte gati ta zëvendësonte. Superkupa e Shqipërisë luhet prej 1989 ku përballen ekipi kampion i Superiores dhe ai fitues i Kupës, Kjo ishte hera e parë që u zhvillua në dhjetor dhe jo në nisje të sezonit.

Tv Klan