Edhe pse shumë pranë në renditje me vende, janë shumë larg me pikë. Tirana dhe Flamurtari përballen për javën e 18 të Superligës në një ndeshje ku asnjëra nuk do të pranojë humbjen. Bardheblutë që po kalojnë periudhën më të vështirë, pasi me gjithë sforcot janë dy pikë larg zonës së rënies nga kategoria.

Të drejtuar nga Ardian Mema që prej 10 javësh, futbollistët bardheblu në fushën e tyre do të përpiqen të fitojnë. Reparti i sulmit me 18 gola është më efektiv se ai i Flamurtarit me 15.

Në stadiumin “Selman Stërmasi” Tirana do të kërkojë të jetë zot shtëpie, duke i dhuruar tifozerisë rezultatin e shumëpritur. Një fitore që ndoshta nuk do të vlejë shumë, pasi kampionati është i gjatë, por një shpresë se këtë sezon do të jetë e denjë të qëndrojë me më të mirët.

Në kampin vlonjat edhe pse janë më mirë psikologjikisht, transferta në kryeqytet nuk është e lehtë. Kuqezinjtë do të përpiqen të gjejnë fitoren e tretë radhazi për t’i mbyllur me sukses ndeshjet për 2018.

Sfida e parë e këtij sezoni u fitua nga vlonjatët 1-0. Ekipi i Ilir Dajës është gati ta përsërisë këtë histori.

Tv Klan