Bardheblutë ngecin ndaj Bylis

Tirana ndërlikon rrugën drejt titullit kampion. Bardheblutë nuk shkuan më shumë se një barazim 2-2 ndaj Bylisit për të humbur kështu kreun që një javë para fundit të sezonit shkon në duart e Partizanit.

Skuadra e Orges Shehit barazoi 2-2, me një dopietë të Ardit Hilës. Gjithsesi, ballshiotët reaguan dy herë dhe rikuperuan disavantazhin për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës në Superligë dhe për t’i hequr përkohësisht Tiranës titullin nga duart.

Barazim i mbërritur pas një penalltie tepër të kontestuar nga lojtarët bardheblu dhe tifozët që kishin mbushur shkallët e stadiumit “Arena Egnatia”.

Dhunohet gjyqtari Kridens Meta

Pas përfundimit të ndeshjes është shënuar një episod i rëndë. Tifozët e Tiranës janë futur në fushën e gjelbër dhe kanë goditur arbitrin Kridens Meta dhe dy ndihmësit e tij. Është dashur ndërhyrja e policisë dhe futja në dhomat e zhveshjeve të arbitrave që situata të qetësohej.  

Policia njoftoi se ka shoqëruar disa tifozë të cilët tentuan të dhunojnë gjyqtarët e sfidës Bylisi-Tirana.

“Më datë 25.05.2023, në përfundim të ndeshjes Bylisi-Tirana, në Rogozhinë, disa tifozë të Tiranës kanë hyrë në fushë dhe kanë tentuar të dhunojnë gjyqtarët e ndeshjes. Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar këta shtetas, për të cilët po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale”, njoftoi policia.

Partizani rrëmben kreun

Si asnjëherë më parë, çështja e titullit kampion në Superligën shqiptare do të vendoset në javën e fundit. Partizani mori kreun e kampionatit pas fitores 4-1 ndaj Kastriotit, shoqëruar nga barazimi mes shumë polemikash i Tiranës përballë Bylisit.

Skuadra e Giovanni Colellës ishte superiore ndaj kundërshtarit, duke arritur që të dominojë totalisht, pavarësisht se u gjend në disavantazh të një goli pas 9 minutash lojë.

Greca kaloi në epërsi Kastriotin, gjithsesi, reagimi i kryeqytetasve ishte i shpejtë, me Rrapaj dhe Da Silva që përmbysën gjithçka brenda pjesës së parë.  Në fraksionin e dytë, Partizani shënoi sërish me anë të Murataj dhe Da Silvës për të kompletuar kështu fitoren 4-1.

Një triumf që sigurisht mund të vlejë titullin për Partizanin që në javën e fundit sfidon Teutën dhe do mjaftonte fitorja për të ngritur lart trofeun. Gjithçka varet edhe nga ajo që do prodhoj sfida mes Tiranës dhe Erzenit në javën e fundit.

Teuta ëndërron Europën, Erzeni shpreson tek mbijetesa në Superligë

Fitore me aromë europiane për Teutën. Durrsakët thyen 1-0 Egnatian dhe tashmë sigurimi në fazat e kualifikimit në Conference League kthehet në mision tejet të mundur për ta. Ekipi i Edi Martinit iu fal një goli të Lorenco Vilës për të triumfuar në “Niko Dovana” dhe merr një tre pikësh që i ngjit në vendin e katërt me 48 pikë.

Në barazim 1-1 u mbyll dueli mes Vllaznisë dhe Laçit, me shkodranët që mbajnë gjallë shpresat për turnet ndërkombëtar. Ekipi i Seldoski gjendet me një pikë pas Teutës dhe kërkon biletën Europiane ndaj Bylisit në duelin e fundit, me ballshiotët që mbeten në garë për të mbijetuar në Superligën shqiptare.

Klan News