Muça: Kthesa ishte në derbin me Partizanin

Tirana e festoi titullin e fituar në rrugë dhe jo në stadium. Humbja e Kukësit në fushën e Vllaznisë vulosi gjithçka, duke bërë që mbështetës së shumtë të bardhebluve të dilnin në rrugë.

Një titull i fituar pas 11 vitesh dhe nisi pikërisht me suksesin 2 – 1 në derbin me Partizanin më 13 dhjetor të vitit të kaluar. I këtij mendimi është mbrojtësi dhe kapiteni i bardhebluve Gent Muça.

“Të them të drejtën ky titull i fituar do të mbahet mend për atë derbi, pasi ishte pikënisje për gjithçka. Duket sikur ajo tabu në këto vite na kishte dëmtuar dhe penalizuar shumë në aspektin moral dhe psikologjik. Ajo fitore ishte një pikënisje e mbarë dhe shpresojmë që mos të ndalemi për një kohë të gjatë”, tha Muça.

Planet tani janë për takimet e mbetura dhe kupat e Europës.

“Sigurisht që tani bëhen llogaritë, por pa anashkaluar ndeshjet e mbetura dhe vlerësimin maksimal që do të kemi për finalen e Kupës, por do të shikojmë edhe shortin”, tha Muça.

Për Gent Muçën trajner duhet të jetë sërish Emanuel Egbo.

“Me aq sa kemi dëgjuar në media dhe për mendimin tim është i duhuri”, tha Muça..

Ky ishte titulli i 25 kampion për Tiranën, pikërisht në vitin e 100 të themelimit të klubit.

Tv Klan