Për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, viti 2025 do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme që kryeqyteti shqiptar të kthehet në një simbol të bashkëjetesës Mesdhetare të Kulturës dhe Dialogut.
Deklaratën e bëri gjatë një vizite 2-ditore në Aleksandri të Egjiptit ku u prit në një takim nga zëvendës Admirali, Ahmed Khaled Hassan Said.
“Bashkë me Aleksandrinë e famshme, ku prej 200 vitesh kemi pasur një koloni shqiptarësh, të Andon Zako Çajupit, të Jani Vretos, të Thimi Mitkos. Një pasuri e jashtëzakonshme që na jepet si mundësi sot për të treguar kulturën tonë këndej dhe andej Mesdheut. Ndaj, e vlerësoj shumë gatishmërinë e qeverisë së Egjiptit, të princeshës së Jordanisë, të të gjithë Unionit të Mesdheut, për ta bërë Tiranën simbolin e bashkëjetesës Mesdhetare të Kulturës dhe të Dialogut”.
Kjo vizitë sipas Veliajt shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve kulturore mes Tiranës dhe Aleksandrisë.
43 shtetet anëtare të Unionit për Mesdheun shpallën Tiranën dhe Aleksandrinë dy kryeqytetet e para të Kulturës dhe Dialogut, titull ky që do e mbajnë përgjatë gjithë vitit 2025.
Tv Klan