Një guidë fotografike, historike, zakonore e turistike për qytetin e Tiranës, libri “Tirana Mahnia” është një botim i sjellë në një këndvështrim ndryshe nga gazetarja Rezarta Delisula.

Me një përvojë rreth 20-vjeçare në gazetari, Rezarta provon veten në një tjetër fushë duke sjellë një guidë mjaft interesante për kryeqytetin. Si një “tironse e vjetër” ajo na fton të shohim kryeqytetin përmes syve të saj.

Titulli është një lojë fjalësh, por në fakt brenda guidës për kryeqytetin gjenden të gjitha arsyet përse Tirana është mahni. Në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë”, Delisula rrëfen se “Tirana Mahnia” është fryt i kërkimeve të saj prej 20 vitesh.

“Çdo gjë nisi në vitet ‘99-2000 kur unë fillova punë tek “Gazeta Shqiptare” dhe më besuan mua si redaktore e faqes së Tiranës. Fillova të bëj artikuj mbi Tiranën dhe sa më shumë hyja nëpër qytet dhe në familjet tiranase aq më shumë më vinte dëshira të bëja diçka për të. Ishte punë e vështirë, por mua më ndihmoi fakti që ishte punë e 20 viteve. Jam konsultuar me shumë njerëz për të bërë seleksionimin e materialeve sepse ndryshe do të dilte një libër shumë voluminoz. Tek “Tirana Mahnia” gjejmë çdo gjë. Është një udhëtim nëpër Tiranë, ku flitet për historinë dhe krahasimin e Tiranës si ishte dhe si është. Zakonet e qytetit dhe gjithçka tjetër gjendet në të. Nëse hapet dhe shihet libri im, duket qartë që shumica e rrugëve karakterizoheshin nga vilat. Qerpiçi ishte një pjesë e materialit të ndërtimit që përdorej në atë kohë. Ka informacion për kryetarët e bashkisë që e kanë drejtuar dhe në fund një guidë për të huajt se çfarë mund të vizitojnë në Tiranë”,

tha Delisula.

/tvklan.al