Sukses absolut në volejboll dhe triumf me meshkujt në basketboll

Tirana fitoi 3 trofe brenda të njëjtës ditë në volejboll dhe basketboll. Bardheblutë ia dolën me sukses në 3 finalet e Kupës së Federatës, duke e nisur sezonin në mënyrën më të mirën të mundshme.

Në volejboll triumfi erdhi si për meshkuj dhe femra. Te vajzat Kupa e Federatës u fitua në derbin e luftuar me Partizanin që u mbyll me rezultatin 3 – 2.

Partizani mori 2 setet e para dhe më pas erdhi përmbysja Tiranës në takimin që zgjati më shumë se 2 orë të dielën në palestrën e Farkës. Amarilda Prenga debutoi me trofe në rolin e trajneres. Tirana mori kupën edhe me meshkujt.

Bardheblutë nuk e patën të vështirë të kalonin Vllazninë në 3 sete lojë. Sfida e luajtur në Farkë përfundoi pas 66 minutash. Triumf në derbi edhe për ekipin e Tiranës në basketboll për meshkuj.

Finalja e Kupës së Federatës e luajtur me Partizanin në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” u mbyll me rezultatin 88 – 64. Për femra trofeun e mori Flamurtari. Skuadra vlonjate fitoi 83 – 65 me Partizanin po në “Dhimitraq Goga”.

Tv Klan