Kompleksi modern i Parkut Olimpik të Tiranës priti për herë të parë në Shqipëri, një event të përmasave të mëdha, siç janë Finalet e Europianit në Volejboll për Femra (U19). Ndeshjen finale Itali-Rusi, e cila u zhvillua mbrëmë, e ndoqi edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.

Veliaj theksoi se organizimi i një kampionati të përmasave të tilla është tregues se Tirana ka potencial për të mirëpritur aktivitete të mëdha ndërkombëtare. “Dua të falenderoj të gjithë miqtë e Federatës Shqiptare të Volejbollit, të cilët kanë bërë një punë fantastike për të mirëpritur në Tiranë një kampionat europian të të rinjve e të rejave në volejboll. Tregon se Tirana siç është “njësh” në shumë punë, është “njësh” edhe në mikpritjen e eventeve të jashtëzakonshme të këtyre përmasave”, tha ai.

Një prioritet i Bashkisë së Tiranës është edhe zhvillimi i sportit në shkolla, duke ngjallur në këtë mënyrë edhe një traditë të bukur të angazhimit të të rinjve në disiplina të ndryshme të sportit. “Dobia më e madhe është për djemtë edhe vajzat në Shqipëri, për të parë sesi Tirana, jo vetëm mund të mikpresë aktivitete të tilla, por për t’u siguruar që në një të ardhme jo shumë të largët, të kemi edhe ne nivel kampionësh. Kemi filluar me sportin në shkolla dhe besoj që shumë goca edhe çuna, do zgjedhin volejbollin si një mënyrë për t’u angazhuar pas orëve të mësimit. Ndoshta, jo të gjithë do të jenë për ekipin tonë kombëtar, ama do të mësojnë si të luajnë në skuadër dhe do mbajnë lart një traditë fantastike që Federata e Volejbollit ka në Shqipëri”, theksoi Veliaj.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen në organizimin e një kampionati të përmasave ndërkombëtare.

“Ishte një aktivitet i përmasave ndërkombëtare. Kjo u bë e mundur falë ndihmës edhe mbështetjes që kemi pasur gjithmonë nga kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj, por edhe nga stafi i bashkisë”, tha Pëllumbi.

Fundi i një kampionati plot emocione, gëzim, lot, pasion, vendosmëri u kurorëzua me shpalljen e Italisë kampione e Europianit në Volejboll për Femra (U19), pas një beteje me 5 sete kundra Rusisë, duke krijuar një atmosferë të zjarrtë për vetë ekipin dhe spektatorët në Sallën Sportive “Feti BOROVA”, Parku Olimpik, Tiranë.

/tvklan.al