Flasin trajnerët Brdaric dhe Shehi

Tirana ka mposhtur me përmbysje 1-2, Vllazninë në “klasiken” e futbollit shqiptar, të vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë Superiore. 

Vllaznia u mposht nga Tirana në shtëpi, në një ndeshje ku shkodranët nuk u shfaqën shumë kërkues.

Pas ndeshjes,  trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric u shpreh se Tirana luajti shumë mirë dhe i shfrytëzoi mundësitë që kishte.

“Problemi në ndeshjen e sotme, ishte që pas golit të shënuar ne e pësuam direkt dhe kjo na e ndërlikoi situatën. Ne dëshironim ta fitonim ndeshjen e sotme. Situata nuk është e mirë për ne.

Ne jemi një ekip, me 11 lojtarë në fushë dhe mund të bënim edhe ndryshime, por Tirana luajti shumë mirë dhe i shfrytëzoi maksimalisht mundësitë. Duhet ta analizojmë humbjen e sotme dhe të përpiqemi të rregullojmë gjithçka në të ardhmen.

Këtu nuk flet askush për titullin, pasi një sezon më parë ishin për mbijetesë dhe tani shumë shpejt jemi në krye të renditjes. Unë nuk do i kritikoj lojtarët e mi”, tha ai.

Ndërsa nga ana tjeter trajneri i Tiranës, Orges Shehi është shfaqur shumë i lumtur pas fitores së skuadrës së tij ndaj Vllaznisë.

Pas përfundimit të ndeshjes, Shehi tha se skuadra tregoi atë që ai donte.

“Ia arritëm të dalim shumë shpesh para portës dhe mendoj se ishte një fitore e merituar përballë një kundërshtari që realisht është shumë i fortë”, tha Shehi.

Edhe pse u mposht ditën e sotme nga Tirana, Vllaznia vijon për momentin të kryesojë renditjen me 41 pikë.

Klan News