Këto janë pesë ndërtesat gjigande të propozuara nga 5 studiot ndërkombëtare prestigjioze në garën për ndërtimin e qendrës shumëfunksionale në Tiranë.

Në konkursin e hapur, studiot, OODA, Cebra, Fuksas, JDG+ SHIGERU dhe  UN STUDIO, prezantuan projektet e ideuara të bazuara tek zhvillimin urbanistik i kryeqytetit, banesat tradicionale dhe peizazhin natyror. Kryeministri Edi Rama, njëherësh dhe anëtar i jurisë e konsideroi këtë ngjarje të rëndësishme sa i takon modernizimit të kryeqytetit.

“Jam shumë krenar që Tirana e ka arritur këtë nivel të tërheqjes së vëmendjes edhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore dhe po ashtu, jam shumë i kënaqur që sot kemi një praktikë të cilën e kemi ndjekur dhe herë të tjera në vitet e shkuara, në kohën kur unë isha kryetar i bashkisë, për të ballafaquar ide të ndryshme për një zhvillim, i cili nuk është zhvillim i zakonshëm, është zhvillim në zemër të Tiranës dhe bëhet fjalë për të vendosur për ngritjen e një ndërtese, e cila i shtohet vijës së qiellit të Tiranës, por nga ana tjetër, i shtohet xhevahireve që ka Tirana e arkitekturës moderne e këtij shekulli.”

Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, po ashtu pjesë e jurisë, shtoi se kjo ndërtesë polifunksionale do të sjellë më shumë punësim.

 “Tirana Multifuncional Center” do të jetë ndërtesa më e re që do të ngrihet në zemër të Tiranës, pas Pallatit të Kulturës, e do të përmbajë qendra biznesi, brandet më të njohura të restoranteve, apartamente dhe parkim publik.

Në ndërtimin e saj do të përdoret teknologjia më e fundit teksa në orën 17:00 juria e përbërë nga arkitektë të njohur të huaj do të shpallet projektin fitues.

Tv Klan