Ka ardhur koha që edhe Tirana të ketë një pistë për sportet e Motocross-it. Kështu u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë një takimi me Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Motoçiklizmit.
“Është bërë gjithë ajo punë me “Rally Albania” dhe pas kaq vitesh është shpërblyer, duke hyrë në Europë në këtë sport. Por, ne duam të futemi në Europë edhe për sporte të tjera. Ndoshta ka ardhur koha të kemi një pistë për motoçiklizmin dhe ato që quhen sportet e Motocross-it. Në periferi të Tiranës do të ishte një arsye më shumë, për të shtuar një stacion turistësh në stacionet e shumta që ka Tirana.”
Ndërsa Presidenti Michal Sikora u shpreh i surprizuar me bukuritë e kryeqytetit shqiptar.
“Jam shumë i surprizuar me bukurinë dhe kulturën e këtij qyteti, edhe me atë që gjeta këtu në vizitën time të parë. Unë mendoj se do të rikthehemi këtu, shpresoj së pari për aktivitetet turistike, por gjithashtu shpresoj edhe për disa aktivitete sportive, ndoshta aktivitete Motocross.”
Pista për sportet e Motorcross-it pritet të jetë një alternativë më shumë për vizitorët që adhurojnë turizmin e aventurës në Tiranë.
Klan News