Veliaj pret ministrin Kamyshin: Fatkeqësinë e luftës ta kthejmë në mundësi për prosperitet
Tirana, si kryesuese e Presidencës B-40, rrjetit më të madh të bashkive në rajonin e Ballkanit, do të ndihmojë në rindërtimin e qyteteve të Ukrainës të dëmtuara nga agresioni rus. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ministrin ukrainas për Industritë Strategjike, Aleksander Kamyshin.
“Përvoja që kemi me rindërtimin pas tërmetit është një eksperiencë për të ndihmuar qytetet se si të planifikojnë më shpejt, si të përdorin financat me efiçencë. Fakti që Tirana në një kohë shumë të shkurtër arriti të transformohet në një qytet modern, mund të jetë që fatkeqësinë e luftës dhe shkatërrimit ta kthejmë në një mundësi për prosperitet dhe urbanizim modern”.
Në shenjë solidariteti me popullin ukrainas, Bashkia e Tiranës ka kontribuuar për ndërtimin e një shkollë të re në qytetin e Karkivit të shkatërruar nga lufta.
“Ne nuk jemi qyteti më i pasur, por fakti se kemi qenë të parët për të ndihmuar do të thotë se ka shumë qytete në Ballkan, me rrjetin tonë të B-40, por ndoshta edhe qytete në Evropë, ku secili mund të çiftohet me një qytet tjetër”.
Ministri ukrainas për Industritë Strategjike, vlerësoi mikpritjen dhe punën e bërë për mbarëvajtjen e samitit “Ukrainë-Europa Juglindore”, që solli Presidentin Volodymyr Zelensky për herë të parë në Tiranë.
“Jam mirënjohës që na keni ftuar në qytet, që na keni ftuar në këtë Samit. Ju dhe kryeministri keni bërë një punë të shkëlqyer, duke sjellë të gjitha vendet ballkanike së bashku. Dhe do të jemi të suksesshëm, sikurse edhe duhet të jetë!”
Tirana është pjesë e Këshillit Koordinues të qyteteve partnere, që ndihmojnë në rindërtimin e Ukrainës.
Klan News