Tirana është bërë pjesë e panelit të OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve në Nju Jork. I pranishëm në aktivitet, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Tirana do të vijojë të investojë te mbjellja e pemëve, korsitë e biçikletave dhe hapësirat pedonale.

“Për Tiranën tonë është një privilegj i jashtëzakonshëm që jemi në këtë nivel dhe shembullin tonë mund ta ndajmë me të tjerët. Tirana nuk është perfekte, por pemët që janë mbjellë, korsitë e biçikletave, hapësirat pedonale që janë krijuar te sheshi “Skënderbej”, te Pazari i Ri, Liqeni i Farkës, Liqeni i Tiranës, kanë kontribuar që ajri të jetë më i shëndetshëm, që turizmi të rritet, që Tirana të quhet një vend që, jo vetëm po zhvillohet, por zhvillohet në një mënyrë të qëndrueshme, pa dëmtuar natyrën”, tha Veliaj.

Duke u ndalur te takimet që zhvilloi së bashku me kryeministrin Rama me shqiptarët në Nju Jork, kryebashkiaku i Tiranës tha se u vlerësua mbajtja e premtimit për të mundësuar votën e diasporës.

“Jam vërtet i impresionuar nga mënyra se si i gjithë komuniteti i shqiptarëve në SHBA, në takimin me kryeministrin, por dhe në takime të tjera më të vogla, kanë shprehur mbështetjen për atë vendim të jashtëzakonshëm të shumicës tonë për të mbështetur votën e emigrantëve, një iniciativë që e kemi filluar që në vitet 2009-2010. Mbaj mend teksa artikulonim për herë të parë votën e emigrantëve, sot është bërë realitet, është një premtim i mbajtur”, tha Veliaj.

Nga Nju Jorku, Veliaj bëri të ditur edhe tre projekte të reja, që janë dakordësuar me Kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, që kanë të bëjnë me krijimin e shtigjeve që lidhin Parkun e farkës me atë artificial, shkollën 42 e Parisit dhe me qendrën amerikane “Plug & Play”.

Tv Klan