Skuadrat e fundit të tabelës fitojnë terren me ato të kreut

Pesë fitore, dy për vendasit dhe tre për udhëtuesit prodhoi java e 18-të e Superligës shqiptare. Takime që treguan edhe njëherë se forca në letër nuk tregon aspak atë që ndodh në fushë. Me përjashtim të Tiranës, që nuk kurseu asgjë ndaj Erzenit, ekipet e kreut u mposhtën nga skuadra që aktualisht shpresojnë për tu larguar sa më larg nga zona e ftohtë.

Pas dy fazave të kampionatit, bardheblutë u shpallën kampion dimri dhe nisën arratinë, pasi numërojnë 4 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Partizani. Skuadra e Orges Shehit tregoi se nuk ka humbur shumë cilësi me largimin e Xhixhës dhe ndaj Erzenit gjithçka u zgjidh në minutat e fundit të lojës.

Golat e dy ish-ëve, si Albion Marku dhe Sherif Kallaku ndalën hovin e Partizanit, që ndjeu shumë largimin e Bitrit dhe Skukës. Përveç faktit që dështuan për të marrë pikë, të kuqtë nuk arritën që të ishin dominues ndaj Teutës, që pas shumë javësh i largohet zonës së ftohtë dhe shikon nga Europa.

Me ego kampioni dhe përmbysje, Kukësi u rikthye tek fitorja në kampionat, gjithsesi, mbetet ende në ujëra të turbullta. Verilindorët treguan forcë karakteri ndaj Egnatias, diçka që pak herë e kanë shfaqur në këtë sezon. Fitorja 2-1 e mban në fund ekipin e Hallaçit, ndërsa Egnatia zgjat me tre ndeshjet pa fitore radhazi.

Java e 18-të ndërpreu ecurinë negative të Laçit, me kurbinasit që u rikthyen tek fitorja kundër Kastriotit. Triumfi me shifrat 4-1 përmirësoi disi edhe mesataren e kësaj jave, pasi në total u shënuan 13 gola në 5 sfida, me një mesatare prej 2.6 golash për ndeshje. Ajo që prodhoi më pak gola ishte dueli mes Bylisit dhe Vllaznisë, fituar 1-0 nga ballshiotët dhe mban me këmbë në tokë shkodranët, që gjithsesi qëndrojnë në zonën Europiane.

Klan News