Reshje shiu me intensitet të lartë kanë përfshirë kryeqytetin shqiptar që prej mesditës së sotme. Stuhia Ciaran pritet që të vazhdojë përgjatë gjithë pasdites dhe ditës së shtunë.

Sipas sinoptikanes Lajda Porja, do të kemi reshje të shumta në të gjithë Shqipërinë që do të shoqërohen dhe me rënie temperaturash.

Lajda Porja: Pritet që të kemi një përkeqësim të motit. Shqipëria pritet të përkeqësojë kushtet e motit duke filluar që sot pas mesdite. Reshjet si fillim do të nisin në veri dhe më pas do të zbresin gradualisht duke sjellë shira intensivë, që priten pas ditës së sotme, edhe shtuna do të ketë reshje intensive duke sjellë probleme në disa qarqe, si Shkodër, Tiranë, Elbasan, zonën e Krujës, më pas do të zbresin dhe Vlora dhe Gjirokastra do të marrin sasi reshjesh të konsiderueshme dhe ky sistem pritet që nesër të zhvendoset në qarkun e Korçës.

Probleme nga moti i keq janë shkaktuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ku intensiteti i dendur i reshjeve ka shkaktuar përmbytje të rrugëve.

Pritet që dita e dielë të sjellë përmirësim të kushteve të motit, por gjithsesi reshjet e shiut dhe vranësirat do të mbeten prezente në të gjithë territorin e vendit.


Veliaj apel qytetarëve: Tregoni kujdes dhe minimizoni lëvizjet në 24 orët në vazhdim

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u ka bërë apel qytetarëve që të minimizojnë lëvizjet pas stuhisë së shiut, që ka përshirë vendin orët e fundit.

Përmes një postimi në Facebook, Veliaj siguron se ekipet e Bashkisë janë terren për çdo emergjencë, ndërsa bën thirrje që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 112.

“KUJDES – MOT I RËNDUAR. Orët e fundit Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, e ngjashme me stuhinë Ciara që ka goditur Firencen dhe Toskanën gjatë natës. Ju lutem tregoni kujdes në 24 orët në vijim dhe ulni lëvizjet e panevojshme gjersa situata të normalizohet! Ekipet tona janë aktualisht në terren për çdo emergjencë. Ndihmoni fqinjët e moshuar në rast nevoje. Mirënjohje për mirëkuptimin! Tel: 112 për emergjencat. Bashkë. Pa panik e me solidaritet”, shkruan Veliaj.


Moti i keq në Tiranë/ Objekti bie nga lartësia, dëmton në kokë punonjësin e policisë

Më datë 03.11.2023, rreth orës 13:00, në afërsi të pallatit me shigjeta në Tiranë, si pasojë e rreshjeve, është shkëputur një objekt dhe ka dëmtuar në kokë shtetasin M. Xh., 37 vjeç, punonjës i Komisariatit të Policisë Rrugore, i planizuar me shërbim. Shtetasi M. Xh. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


Sinoptikani: Problematike përmbytjet në një pjesë të mirë të territorit të vendit

Stuhia që ka përfshirë territorin shqiptar do të vazhdojë përgjatë gjithë 24 orëve të ardhshme. Lajmin e ka bërë të ditur sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” në një lidhje direkte për Klan News. Sinoptikani Osmani shprehet se situata është problematike përsa i përket përmbytjeve në territorin shqiptar pasi reshjet do të mbeten prezente në shumë qarqe të vendit.

“Kjo stuhi që ka prekur territorin shqiptar, sigurisht që do të shtojë problematikat përsa i përket përmbytjeve në një pjesë të mirë të territorit shqiptar sepse këto reshje shiu do të mbeten prezente në shumë qarqe të vendit.”

Megjithatë, kjo situatë do të kalojë shumë shpejt pasi fillimi i javës tjetër pritet të sjellë përmirësim të kushteve të motit.

“Për fat të mirë, është një situatë që do të kalojë shumë shpejt dhe këto përmbytje do të largohen shumë shpejt.”

Sinoptikani Hakil Osmani thotë se duke filluar nga dita e nesërme, temperaturat do të pësojnë rënie me 5-6 gradë në vlerat e tyre maksimale.

“Kemi përjetuar temperatura shumë të larta, edhe sot mbeten të larta, por dita e nesërme do të sjellë rënie të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet të jenë rreth vlerave 18-19 gradë Celsius, temperatura tipike vjeshte. Në fillimjavë kemi përmirësim të kushteve të motit.”

/tvklan.al