Veliaj: Mesazhi i saj, aktual edhe sot

Tirana ka përkujtuar 78-vjetorin e Konferencës së Pezës, mesazhi i së cilës sipas kryebashkiakut të Tiranës është ende aktual.

“Dua t’ju uroj të gjithëve gëzuar festën e Pezës, një ditë ku ne përkujtojmë të gjithë patriotët që u mblodhën këtu – njerëz pa dallim feje, krahine dhe ideje për t’u bashkuar kundër pushtuesit. Ky është mesazhi për të cilin kemi nevojë edhe sot, se përtej partive dhe bindjeve tona, është Shqipëria, është Tirana”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj theksoi se mesazhi i Pezës është se vetëm kur jemi të bashkuar, mund të ecim përpara.

“Fryma e përçarjes, e stërkëmbëshave, e shpifjes, e intrigës, nuk ndihmon. Ajo që ndihmon është bashkimi, bashkëpunimi, solidariteti. Sot, ndoshta nuk i kemi sfidat me pushkë në dorë, por për të luftuar pandeminë dhe pasojat e tërmetit mund t’i bëjmë vetëm me punë, vetëm bashkë. Do të doja shumë që, pas gjithë këtyre viteve, Konferenca e Pezës të përshëndetej edhe nga forca të tjera politike, të cilat me sa duket ende duhet ta kuptojnë mësimin e Babë Myslymit, se vetëm kur jemi të bashkuar mund të ecim përpara, kurse fryma e përçarjes vetëm e saboton vendin”.

Gjatë ceremonisë u vendosën kurora me lule në monumentin dhe varrezat e dëshmorëve në Pezë.

Tv Klan