Veliaj: Sporti, arti dhe kultura i bashkojnë kombet

Tirana mikpriti ekipin e ekuipazhit të anijes me vela “Fateh Al Khair 4” nga Katari, e cila po viziton brigjet e Mesdheut për të promovuar Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Ndonëse një qytet jo bregdetar, Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Katarit zgjodhën Tiranën si një nga ndalesat e turit të ekuipazhit, për të përcjellë mesazhin se sporti, kultura, muzika dhe arti i bashkon kombet, pavarësisht ndryshimeve kulturore mes tyre.

“Jam shumë i nderuar që mikpritëm ekuipazhin, i cili ka muaj të tërë që me një anije me vela mundohet të promovojë mesazhin se sporti, kultura, muzika, arti i bashkon kombet. Në një botë ku flitet kaq shumë për përçarje, kemi shumë nevojë të flasim për bashkëpunim, vëllazëri dhe bashkim. Ne jemi i vetmi qytet ku ata kanë ardhur, që nuk jemi port, nuk kemi det. Falë këmbënguljes së ambasadorit, kemi sot një nga skuadrat më unike që promovon kampionatin e botërorit “Katar 2022”. Tirana është një qytet i hapur, ju mirëpresim krahëhapur, me zemër të hapur dhe me mendje të hapur. Kjo është arsyeja pse kemi filluar disa aktivitete me ambasadën e Katarit, po rregullojmë disa shkolla, po duam shumë që nën frymën e Kampionatit Botëror, të fokusojmë një pjesë të energjive për të kultivuar sportin. Është vetëm fillimi i një marrëdhënieje afatgjatë për të kultivuar dhe për të forcuar frymën sportive”, tha kryebashkiaku Veliaj gjatë ceremonisë së mikpritjes.

Ambasadori i Katarit shprehu mirënjohje të veçantë për Bashkinë e Tiranës, për mikpritjen dhe aktivitetet e organizuara në promovimin e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

“Vizita e anijes në Shqipëri është një tregues i qartë dhe një vlerë e shtuar në marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve dhe popujve tanë miq. Unë jam shumë krenar që këto marrëdhënie njohin zhvillim dhe përparim në të gjitha fushat dhe nivelet”.

Pas një qëndrimi dy ditor në Sarandë, e më pas ndalesës në qytetin e Durrësit, aktivitetet e lidhura me lundrimin anijes nga Katari janë zhvendosur edhe në Tiranë.

Tv Klan