Klubi “bardheblu” ka zyrtarizuar 36 vjeçarin në stol, do të zëvendësojë Ahmjatajn

Trajneri i ri i Tiranës është Erbim Fagu. “Bardheblutë” kanë zyrtarizuar në mëngjesin e së martës teknikun e ri, që do të zëvendësojë Julian Ahmatajn. Pas një eksperience si lojtar i spikatur dhe trajner i moshave si brenda edhe jashtë vendit, Fagu rikthehet në shtëpinë “bardheblu” tashmë si pjesë kryesore e pankinës bardheblu.

36 vjeçari ka dhënë kontribut të madh gjatë gjithë rrugëtimit në sezonin 2021-2022 pranë “bardhebluve”, duke e ndihmuar ekipin në rrugën drejt titullit kampion. Kjo është aventura e parë si trajner për Fagun në Superiore.

Te “bardheblutë” ishin shtuar pakënaqësitë për ecurinë ekipit dhe humbjen në derbi kundër Partizanit të shtunën me rezultatin 2-1.

Skuadra gjendet në kuotën e 34 pikëve në vend të 4 në renditje, 14 më pak se sa kryesuesit e Egnatias, si edhe 6 më pak se sa Partizani dhe Vllaznia në vend të dytë e tretë.

Pas 24 javëve të luajtura, bardheblutë kanë 9 fitore dhe 8 humbje, me 42 gola të shënuar dhe 37 të pësuar, duke qenë skuadra e dytë me mbrojtjen më të keqe në kampionat.

Klan News