Tirana reagon ndaj deklaratave të Borell për Kosovën

Tirana reagon ndaj deklaratave të Borell për Kosovën

15:38 08/10/2019

Cakaj e Basha: Është një realitet dhe një shtet i pavarur

Deklarata e bërë nga Komisioneri i ri për Politikën e Jashtme të BE-së, Jozef Borell, se Kosova nuk mund të jetë shtet përsa kohë pavarësinë e saj nuk e njohin vende si Rusia, Kina apo India, ka sjellë reagime të politikës edhe në Tiranë.

Në emër të mazhorancës, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj tha se Kosova është tashmë një shtet i pavarur i pranuar nga shumica e vendeve të BE-së, NATO-s e OKB.

“Kosova i ka dhënë shembull rajonit si organizohen zgjedhjet. Dhe ka dëshmuar se Kosova ka elektorat të pjekur. Mezi po presim të fillojmë bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës. Pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe integrimi i dy vendeve është i pa alternative”.

Një koment për këtë deklaratë të zotit Borell e dha edhe ministri i Jashtëm i Austrisë pas një takimi që pati në Tiranë me homologun e tij Cakaj.

Për Lulzim Bashën, progresi i bërë nga Kosova dhe njohja e saj ndërkombëtarisht si shtet është një realitet që nuk mund të zhbëhet.

“Kosova është një vend i pavarur, i njohur nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së dhe nga shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Me mbështetjen e këtyre vendeve Kosova ka arritur progres të jashtëzakonshëm me konsoilidimin e praktikave demokratike, siç treguan edhe zgjedhjet e ditës së diel, që në fakt janë një shembull jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Në veçanti janë një shembull për Shqipërinë ku tregohet qartë se kemi të bëjnë me një shtet që ka institucione mjaftueshëm të konsoliduara për të garantuar demokracinë funksionale, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe respektin e të drejtave të minoritetit serb ç’ka nuk mund të mohohet nga askush dhe, me sa pashë, u përshëndet edhe nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Këto janë faktet. Kosova është një shtet i pavarur, i konsoliduar dhe. për Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar, mbështetja ndaj Kosovës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, prosperitetit ekonomik dhe integrimin europian dhe euro-atlantik, bashkëpunimin më të ngushtë midis dy vendeve tona, është prioritet i dorës së parë”.

Josef Borell, i cili do të mbajë detyrën e Komisionerit per Politikën e Jashtme, vjen nga Spanja, vend i cili nuk e ka njohur ende Pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye, emërimi i tij është komentuar nga analistë të ndryshëm si problematik përsa i përket kësaj çështje, ndonëse ai do të duhet të vërë në zbatim gjatë mandatit të tij politikat e Brukselit.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT