Egbo flet si shqiptar: Fillimi i mbarë, gjysma e punës

Tirana tregoi se ka ruajtur ritmin e rezultateve pozitive pavarësisht ndërprerjes gati 3 mujore të kampionatit për shkak të Covid-19. Bardheblutë fituan 3-1 me Bylisin në Ballsh, duke ruajtur distancën me ndjekësit, duke hedhur një tjetër hap drejt titullit që mungon prej 2009-s. Trajneri nigerian, Emanuel Egbo përmend një shprehje shqiptare për të treguar atë që kërkon.

“Janë 3 pikë të çmuara për vazhdimësinë. Siç i thonë në Shqipëri, një fillim i mirë është i mbarë dhe shpresojmë që të vazhdojmë në atë rrugë”.

Superliga u kthye, por pa tifozë, një situatë që peshon për Tiranën, një nga skuadrat më të ndjekura në vend.

“Normal nuk është e njëjtë pa tifozë, sepse për ata luhet futboll. Të shpresojmë që shumë shpejt qeveria dhe federata të kthejnë tifozët në stadium”.

Kundërshtari i radhës do të jetë Luftëtari në Gjirokastër. Trajneri i Tiranës nuk e quan të lehtë, duke kujtuar se Kukësi fitoi vetëm në fund me gjirokastritët.

“Kukësi shënoi në minutën e 95′ dhe i duhej fitore. E kam thënë shpesh që nuk ka ekipe të lehtë edhe ata që mendojnë se është e lehtë, pasi nuk kanë çfarë të humbasin dhe luajnë lirshëm”.

Nën drejtimin e Emanuel Egbo Tirana numëron 12 fitore dhe 1 barazim në kampionat, një ecuri që e mban Kukësin e vendit të dytë 9 pikë larg.

Tv Klan