Tirana shmangu rënien një kategori më poshtë duke mos përsëritur vitin 2017. Bardheblutë qëndruan në Superligë pas fitores 3 – 0 me Flamurtarin në “Selman Stërmasi” dhe tani duhet të mendojnë për finalen e Kupës së Shqipërisë me Kukësin të dielën në Elbasan. Doka dhe Hasani ishin shënuesit e golave në pjesën e dytë.

Në kategorinë e parë zbriti Kastrioti. Ekipi krutan u mund me rezultatin 3 – 1 me Kukësin në Kamëz, por i duhej të fitonte dhe Tirana të humbiste që të qëndronte në Superligë. Fitore edhe për Teutën 2 – 0 me Laçin duke arritur të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League ashtu si dhe Kukësi. Partizani që e mbylli më herët çështjen e titullit barazoi 1 – 1 nga Luftëtari në Gjirokastër. Trajneri Skënder Gega kishte lënë pushim një pjesë të madhe të titullarëve.

Skënderbeu mori fitoren 3 – 0 në tavolinë me Kamzën që së bashku me krutanët do të luajnë në Kategorinë e Parë. Sezonin e ardhshëm pjesë e Superligës do të jenë edhe Bylisi dhe Vllaznia, që ngjiten nga Kategoria e Parë.

Tv Klan