Veliaj: Të punojmë si europianë

Kryeqyteti shqiptar ka triumfuar në një garë mes 5 qyteteve finaliste në Amiens të Francës duke marrë titullin kryeqyteti europian i të rinjve.

“E pabesueshme, Tirana është kryeqyteti europian i rinisë për vitin 2022”.

Ky lajm ka shërbyer si motiv feste për të rinjtë e kryeqytetit. Për kryebashkiakun Veliaj, ky vlerësim e ka bazën tek puna e bërë së bashku, dhe se të rinjtë do të dinë të tregojnë vlera europiane.

“Projekti i Europës është projekti i rinisë shqiptare dhe ne do ta përdorim vitin 2022 se ne jemi europian, punojmë si europian dhe herët ose vonë do ta kemi vendin në Europë”.

I pranishëm në ceremonin e ndarjes se çmimeve të enjten ishte edhe Presidenti francez Emmanuel Macron .

“Rinia sot në Europë dhe në Francë luan një rol të rëndësishëm. Janë disa kushte që dua t’i ndaj me juve, siç janë kultura, demokracia, klima, ekologjia, dhe angazhimi ynë për Europën tonë. Duhet të punojmë të gjithë dhe të kemi entuziazmin për të përcjellë ngjyrat e Europës, vlerat e saj. Kjo është përgjegjësia jonë”.

Vendimi për Tiranën u dha nga një juri e specializuar  me anëtarë nga Parlamenti Evropian, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe Këshilli i Rinisë i Këshillit të Evropës.

Gjatë një viti Tirana do të ketë aktivitete të shumta  duke u kthyer në një pikë takimi për mijëra të rinj nga shumë vende të Europës.

Tv Klan