
Tirana si model i “Kryeqytetit Evropian të Rinisë 2022”
Dafina Peci: Një Inspirim Ndërkombëtar në Panairin e Izmirit”
Tirana ndau skenën me qytetet e Izmirit, Lvivit dhe Beogradit për të treguar më shumë mbi eksperiencën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, përgjatë panelit dedikuar Rinisë në Panairin e 92-të Ndërkombëtar të Izmirit.
Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci, theksoi rëndësinë e këtij titulli dhe programit “TiranaEYC2022” në zhvillimin e qytetit. Ajo shtoi se ky sukses është pasojë e angazhimit të të rinjve.

“Zhvillimit që titulli dhe makro-programi “TiranaEYC2022” la pas janë meritë e të gjithë atyre që iu bashkuan rrugëtimit tonë. Angazhimi ynë ka qenë terësisht i dedikuar ndaj përfshirjes së të rinjve në bashkë-dizajnim dhe bashkë-menaxhim të programit‘,’ theksoi në fjalën e saj në panel Drejtoresha Ekzekutive e KRK, Dafina Peci.
Roli i të rinjve në politikën dhe vendimmarrjen lokale është vlerësuar si vendimtar për të siguruar që qyteti i Tiranës të ketë një të ardhme sa më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Në këtë kontekst, në këtë panair u inkurajuan nisma të përbashkëta me qytetet e tjera, duke përfshirë Izmirin, për të zhvilluar politika rinore që do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së të rinjve dhe të gjithë qytetarëve të tyre.