Ndeshje delikate për dy skuadrat

Sfidat e javës së 20 të Superligës janë delikate për skuadrat e kreut. Përballje e fortë pritet të jetë mes Tiranës dhe Teutës. Bardhebluve iu duhet fitorja për t’u afruar me zonën europiane ndërsa durrsakët me një 3-pikësh mund të arrijnë vendin e dytë që zihet nga Partizani. Tirana do të drejtohet nga zv/trajneri Edlir Tetova pasi Orges Shehi është izoluar si i dyshuar me covid-19.

“Djemtë janë paraqitur shumë mirë në stërvitje dhe ne presim që ata të bëjnë më të mirën në fushën e lojës. Çdo gjë do t’ia lemë fushës, ditën e ndeshjes”, tha Tetova.

I kujdesshëm në deklarata pasi e tillë është situata. Tirana ndodhet e gjashta në renditje me 26 pikë dhe nuk ka luksin për të pranuar as barazimin nëse dëshiron që të justifikojë sezonin duke shkuar në Europë.

“Në lojë janë edhe 51 pikë, që janë gati gjysma e kampionatit, kështu që ne kemi objektiv ndeshjen e radhës. Shpresoj t’ia dalim mbanë”.

Më shumë delikate është gjendja e Teutës që përpara kësaj ndeshjeje është mbyllur në heshtje shtypi. Përqendrim maksimal për sfidën që mund ti japë vendin e dytë.

As skuadra e Edi Martinit që është në gjendje të mirë fizike nuk do të luajë për barazim pasi rrezikon të humbë mundësinë e afrimit me kreun e renditjes. Këtë të shtunë do të luhen edhe takimet Laçi-Kastrioti dhe Apolonia-Bylis.

Tv Klan