Bardheblutë mposhten nga Fenerbahçe pak ditë nga debutimi në Europë.

Fenerbahçe ka rezultuar koçkë tepër e fortë për Tiranën.  Gjiganti turk arriti të koleksiononte një fitore komode 4-0 në fushën e saj, duke i dhënë leksione të rëndësishme kampionëve të Superligës. Bardheblutë zhvilluan testin e tretë përgatitor para debutimit në Kupat e Europës, por nuk ia dolën të merrnin një rezultat pozitiv. Tekniku Orges Shehi kishte hedhur në fushë formacionin më të mirë në dispozicion, kjo për të parë edhe formën e tyre para sfidës në Ligën e Kampionëve ndaj Didelang.

Pjesa e parë ishte më e ekuilibruar në fushën e blertë, me Tiranën që shpesh iu afrua golit, por fati dhe ndërhyrjet e kundërshtarëve ishin kundër tyre. Në një duel miqësor turko-shqiptar, ishte pikërisht një shqiptar ai që zhbllokoi takimin. Mërgim Berisha kaloi Fenerin në avantazhin 1-0, rezultat që nuk ndryshoi deri në hyrjen në dhomat e zhveshjeve.

Me rikthimin në fushë, Fenerbahçe ishte më e freskët, duke shënuar edhe tre herë të tjera. Një humbje me 4 gola kjo që shpresojmë të mos ndikojë te atmosfera e Tiranës. Bardheblutë kërkojnë që të jenë protagonist këtë edicion në Kupat e Europës. Një rezultat pozitiv i mundshëm në ndeshjen e parë ndaj Luksenburgasve të Didelang do të ishte një shtysë tepër e madhe për skuadrën kryeqytetase që të bëj mirë dhe pse jo të kalojë raunde. Nga miqësoret e verës, Tirana ka koleksionuar një fitore, një barazim dhe një humbje.

Klan News