Rama: Kriminelët të dalin para drejtësisë

Tirana zyrtare ka dënuar njëzëri sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë një efektiv i Policisë së Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Rama ftoi drejtësinë të veprojë dhe theksoi nevojën urgjente të thirrjes nga Bashkimi Europian të  një konference të jashtëzakonshme paqeje për mos lejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës.

“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë. Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ministri i Jashtëm Igli Hasani.

“Akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë. Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët”.

Drejtësi për sulmin në Liposaviq kërkoi edhe ish-Kryeministri Berisha.

“Dënoj me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal, të frymëzuar dhe sponsorizuar nga ultranacionalistë në pushtet të Beogradit. Uroj që autorët e këtij akti të përballen me ligjin me të gjithë forcën e tij”.

Ndërsa kryebashkiaku Erjon Veliaj në emër të unionit të bashkive e cilësoi akt terrori të pashoq për Europën e 2023 sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

Tv Klan