Kallëzimet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën e punonjësve të brendshëm të bankave të nivelit të dytë, kanë qenë të shumta gjatë vitit 2015. Qoftë si konstatime të klientëve, apo edhe nga raportet e auditeve të brendshme të drejtorive qëndrore të këtyre bankave.

I tillë është dhe rasti i zv. Drejtoreshës  së Degës  së Bankës T…. që operon  në Tiranë, e cila për periudhën Nëntor 2010 – Mars 2014, pra për rreth 3 vite e gjysmë, iu ka vjedhur klientëve dhe bankës plot 32 milionë lekë.

Nga raporti i Kontrollit të Brendshëm, të kësaj Banke, ka rezultuar se shtetasja A.Z me detyrë zv. drejtoreshë  e degës,  ka përvetësuar shumën e parave , me anë të veprimeve të kundraligjshme, në dëm të Bankës T…, me anë transaksionesh bankare, të parregullta.

Këto veprime të konstatuara janë si më poshtë:

  1. Hartimi në emër të klientëve i aplikimeve për kredi, shlyerja e të cilave sigurohet me shumat e depozitave me afat që këta klientë kanë patur pranë Banka T…, pa dijeninë e klientëve duke falsifikuar firmat e tyre.
  1. Nënshkrimi në emër të  klientëve i kontratave të  kredisë, si dhe të marrëveshjeve siguruese/pengut, mbi shumat e depozitave me afat, pa dijeninë e klientëve dhe duke falsifikuar firmat e tyre.
  1. Tërheqje në cash nga llogaritë e kredive të  klientëve duke përdorur mandate bosh të  firmosura më parë nga klientët ose me firmë të falsifikuar të klientëve nga vetë e pandehura.
  1. Shlyerja e kësteve të kredive të tërhequra nga shtetasja A.Z si në emrin e saj, ashtu dhe në emrin e klientëve nëpërmjet çeljes dhe debitimit të llogarive të brendshme të bankës.
  1. Shlyerja e kredisë të klientit të marrë dhe tërhequr pa dijeninë e klientit, nëpërmjet shumës të depozitës me afat të klientit.
  1. Kryerja e veprimeve si dhënie kredie, shtyrje të afatit të kredisë, rritje e limitit të kredisë etj., pa miratimin e organeve të brendshme të bankës.
  1. Transaksionet janë kryer pas orarit të punës dhe pasi janë printuar nga dega të gjitha transaksionet ditore të punonjësve.
  1. Rritja e vlerës së overdraftit personal, pa marrë më parë miratimin përkatës të klientit.
  1. Pagesa e kësteve të kredisë, në emër të shtetasit M. S të marrë prej tij, në interes të pandehures Z, nga llogaritë e brendshme të bankës./tvklan.al

Shtetasja A.Z më pas është thirrur dhe ka dhënë shpjegime pranë auditit të brendshëm të bankës në lidhje me këto veprime, ku ajo vetë ka pranuar nëpërmjet një deklarate me shkrim, se ka kryer veprime të transaksioneve bankare.

Drejtoria qëndrore e bankës bëri kallëzim në Prokurorinë e Tiranës.

E pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit u zhvilluan hetimet, e pandehura A. Z ka pranuar faktin dhe ka shpjeguar se këtë gjë e ka bërë për të ndihmuar financiarisht një mikun e saj, shtetasin K.A, i  cili  kishte një problem të rëndë shëndetësor.

Në përfundim, Gjykata e Tiranës para pak ditësh, me kërkesë të dy prokuroreve të çështjes , vendosi ta dënoi zv/ drejtoreshën e bankës me vënie në provë për një periudhë kohe prej 1 viti e 6 muaj  me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale./tvklan.al