“Në vjeshtë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapë garën për të përzgjedhur kompaninë e cila do të marrë me koncesion autostradën Tiranë-Durrës. Rruga do të bëhet me pagesë pas zgjerimit të autostradës dhe pas përfundimit të rehabilitimit të aksit Tiranë – Plepa.”

Sipas ministrisë së Infrastrukturës, vlera e tarifës nuk është vendosur ende. Por gjatë zhvillimit të garës do të zgjidhet fituese kompania që ka bërë ofertën më të mirë, si për cilësinë e rrugës, ashtu edhe për nivelin e taksës për automjetet që do të kalojnë aty.

Ndryshe nga koncesioni i mirëmbajtjes së rrugës së Kombit, pagesa për autostradën Tiranë – Durrës do të bëhet në bazë të kilometrave që do të përshkojë automjeti.

Mendohet që rruga të ketë 3 dalje të tjera veç hyrje –daljeve kryesore ne Tiranë e Durrës: një në aksin që të lidh me aeroportin, një në Vorë dhe një tjetër në afërsi të Sukthit.

Në 2018-ën një kompani indiane e përfaqësuar në Shqipëri nga firma “Albstar” dhe “Trema inxhiering” dorëzoi një ofertë të pakërkuar për të zgjeruar autostradën e më pas për të rehabilituar rrugën e vjetër të Ndroqit, e cila nuk do të jetë me pagese dhe do të jetë si një segment alternativ.

Qeveria ende nuk ka dhënë një bonus për këtë ofertë, por mendohet se tenderi do të përzgjedhë ofertën më të mirë që do të paraqitet.

Kostoja e zgjerimit të autostradës që u propozua nga kjo kompani ishte 380 milion Euro, para të cilat do të jepen nga kompania dhe do të mblidhen më pas sipas një formule, ku një pjesë do t’i japë buxheti i shtetit e një pjesë do të sigurohet nga tarifa që do të vilet.

Në bazë të një studimi fizibiliteti të kryer nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, rekomandohet që tarifa për një kalim në këtë aks prej 34 kilometrash të jetë 1.2 Euro.

Tv Klan